Secondary Adv

1.7 mld euro për hekurudhat në 2027-2029, kosto për Durrës-Prishtinë 750 mln euro

Për periudhën 2027–2029, qeveria ka identifikuar projekte kyçe në sektorin hekurudhor, të ndara në “të maturuara” dhe “pjesërisht të maturuara.

Qeveria ka identifikuar një sërë projektesh prioritare në sektorin e transportit hekurudhor për periudhën 2027–2029, një pjesë e të cilave klasifikohen me status “të maturuar”, ndërsa disa të tjera si “pjesërisht të maturuar”.

 

Në listën e projekteve të maturuara, bie në sy rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, me një vlerë rreth 122.9 mln euro, si dhe elektrifikimi i linjës Tiranë–Durrës dhe lidhja me Aeroportin e Rinasit, që kap një vlerë prej 27.5 mln euro. Po ashtu, pjesë e kësaj kategorie janë edhe investime të tjera strategjike si elektrifikimi i linjës Vlorë–Hani i Hotit, me një kosto prej rreth 59.9 mln euro, si dhe rehabilitimi i kësaj linje, që arrin në mbi 308 mln euro.

 

Ndërkohë, në kategorinë e projekteve “pjesërisht të maturuara” përfshihen ndërhyrje me vlerë edhe më të lartë financiare. Konkretisht, rehabilitimi i hekurudhës Rrogozhinë–Pogradec–Prrenjas, që lidhet me kufirin me Maqedoninë e Veriut, parashikon një investim prej rreth 451 mln euro. Një tjetër projekt madhor është ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës–Prishtinë, me një vlerë të konsiderueshme prej 750 mln euro, që synon të forcojë ndërlidhjen rajonale dhe integrimin ekonomik.

 

Një projekt konsiderohet “i maturuar” kur ka përfunduar studimin e fizibilitetit ose ndodhet në fazë të avancuar teknike, ndërsa “pjesërisht i maturuar” kur ka nisur vetëm një pjesë e dokumentacionit teknik apo studimeve paraprake.

 

Vlera totale e këtyre projekteve arrin në mbi 1.7 mld euro.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat